PROGRAMI EKONOMIK PËR ELBASANIN I KANDIDATIT LUCIANO BOCI

 

Programi i PD-së strategjikisht orienton të gjithë vendin dhe është padyshim një vizion i gjallë e i besueshëm i ringritjes së shanseve për zhvillim ekonomik e social. Por unë mendoj se ju takon Elbasanasve të mendojnë për shtëpinë e tyre. 
Dhe unë e kam një Program për Elbasanin!

Motoja ime është:

Të ndërtojmë mbi fuqitë tona ekzistuese dhe të shkëlqejmë!

Unë besoj se:


• Detyra e qeverisë është të kthejë në rentabël cdo asset ekzistues përfshi këtu edhe faqet e maleve, kodrat dhe sipërfaqet e lëna djerrë.
• Detyra e qeverisë është të gjenerojë mundësi zhvillimi për cdo hapësirë jetike të këtij qarku – ku nuk mungojnë burimet natyrore.
• Detyra e qeverisë është të sigurojë investimet përmes të gjitha formave të ligjshme përfshi pjesmarrjen e saj direkte ose indirekte në to.
• Detyra e qeverisë është të identifikojë dhe fusë në zbatim forma të reja investimi, që gjallërojnë depozitat monetare të publikut në rrjetin e bankave të nivelit të dytë – aktualisht të barabarta me borxhin e jashtëm të vendit.
• Rigjenerimi i një indi social – bashkëveprues e mbi bazë interesi komunitar – është një zgjidhje e domosdoshme për t’u aplikuar në shkallë vendi, mbi bazën e shfrytëzimit të mundësive për mbështetje dhe rritje ekonomike të individit.
• Integrimi i procesit të zhvillimit shoqëror me atë ekonomik kurrë nuk ka qenë i një përparësie më të lartë sesa sot.
• Rishikimi i krejt kornizës fiskale në mbështetje të kërkim – zhvillimit teknologjik, krijimit të vendeve të reja të punës dhe profesioneve të reja,

PROJEKTET

Disa nga projektet kryesore që unë kam hartuar dhe që janë sot në proces përgatitor për fillimin e zbatimit përfshijnë:

1. RIKTHIMIN E SHKËLQIMIT TË ARSIMIT PËR ARSIMTARË

 

Qyteti i Normales – tempullit të mësuesve shqiptarë – duhet të rikthehet në misionin e njohur historik për të ringritur cilësinë e mësimdhënies në shkallë vendi. Universiteti i Elbasanit -është një institucion i mrekullueshëm që mund dhe duhet ta marrë këtë rol.

Përpara se të prodhojmë infermierë, sociologë e gjithologë, është brenda frymës dhe shpirtit tonë që në Elbasan të skaliten profilet e mësuesve të të gjitha lëndëve, sipas profilesh tashmë të update-uara në pëputhje me kurrikulën e re të shkollës shqipe.

Eshtë e udhës që ky qytet, me tradita të shquara në mirësi, butësi, durim e respekt – të mirëpresë e të përcjellë për në cdo skaj të vendit ata që do të mësojnë fëmijët tanë.
Elbasani meriton të rikthehet në bankën e dijes për mësuesit – të cilët do e cojnë këtë dritë më tej në cdo qytet e fshat të Shqipërisë.

2. NGRITJEN E PARKUT TË INTEGRUAR TË ARSIMIT, TEKNOLOGJISË DHE KËRKIM-ZHVILLIMIT SHKENCOR DHE INDUSTRIAL

 

Unë besoj se Elbasani – “Qyteti i Poetëve” dhe i Shkollës meriton një Qendër Universitare ekselente të pranë-vënë me një Qëndër Europiane të Kërkimit Shkencor dhe Industrial – mbështetur me një Inkubator për Zhvillimin e Start-up-eve të reja dhe me një prani intensive të kompanive më të mëdha të botës. Qendra më e afërt europiane e Kërkimit dhe Zhvillimit është në Malaga, Spanjë.
Një Park Teknologjik i Integruar – me pjesmarrjen e shkollave më të mira botërore është tashmë në process të dizajnimit, ndërsa ne kemi nisur bisedimet me një numër partnerësh ndërkombëtarë përfshi disa universitete me emër, Trustin Britanik të Ndërmarrjeve të Akademisë dhe me disa partnerë të tjerë të rëndësishëm në fushën e teknologjisë.

Ne synojmë që këto shkolla dhe kjo qendër e integruar e kërkimit shkencor dhe zhvillimit industrial – të sjellë në Elbasan nga krejt Europa Qendrore dhe Lindore rreth 20-25 mijë studentë, të cilët do të gjallërojnë tregun, prodhimin dhe sidomos konsumin në Elbasan – duke ngritur ekonominë lokale.

Projekti parashikon krijimin ne Elbasan të një Parku të Integruar Teknologjik të Kërkim- Zhvillimit me komponentët e mëposhtëm:

– Arsim Universitar i cilësisë më të lartë dhe përvojë botërore:
o Universitet Politeknik me të gjitha inxhinjeritë;
o Universitet i inxhinjerisë Metallurgjike;
o Shkenca Kompjuterike/ Programim/ AI;
– Qendrën Europiane të Kërkimit Shkencor e Industrial me fokus në:
o Përpunimin e mineraleve/ metaleve
o Energjitë e pastra dhe zgjidhjet e reja të transmetimit dhe ruajtjes së energjisë;
o Programim dhe inovacione në AI;
– Inkubator për Start-up-et e reja duke integruar Arsimin/ R&D dhe kompanitë e mëdha të interesuara;

Qendra Europiane e R&D dhe Inkubatori i start-up-eve mund të mbështeten në krye nga projekti i BE-së “Horizon 2020”, ku Shqipëria është anëtare.

Përvoja e qyteteve të rëndësishme universitare në këtë rast mund të replikohet duke ftuar kompanitë e mëdha globale që kanë nevojë për forcë pune të kualifikuar, për mosha të reja dhe kosto të favorshme të punës; Shembulli më i afërt me ne është qyteti i Iashit në Rumani. Pranë kampusit me disa dhjetra mijë studentë – në Iashi – janë instaluar një numër kompanish si Google, Amazon, Apple, Samsung, etj.

Falë këtij projekti Elbasani mund të shpallet Qyteti i Inovacionit – dhe të mbulohet 100% me internet super të shpejtë duke ofruar mjedisin më miqësor për sipërmarrjet e reja fin-tech, platformat online, etj. Një shembull i ngjashëm për këtë është qyteti bregdetar i Bournemouth në Britani – ku në një qytet me 65 mijë banorë jetojnë edhe 25.000 studentë, pa folur për disa mijëra të tjerë që studiojnë në 125 shkollat e gjuhës angleze.
Sot sipërmarrja shqiptare investon vetëm 0.15% të të ardhurave të saj në R&D. Ne mund të krijojmë incentiva fiskalë që fuqizojnë këtë komponente. 

PËR FSHATIN

 

3. REGJISTRIMIN E MENJËHERSHËM KADASTRAL TË TOKËS NË FSHAT

 

Bujqësia shqiptare ka shumë sfida, duke përfshirë vështirësinë në aksesin në kredi; sektori bujqësor ka tërhequr vetëm 2% të totalit të kreditimit të ekonomisë – edhe pse punëson 44% të popullsisë shqiptare dhe 55% të popullsisë së qarkut të Elbasanit.

Kjo ka ndodhur së pari sepse TOKA BUJQËSORE nuk është ASSET. Prona në fshat nuk është ende ASSET TREGU dhe nuk njihet nga Bankat si garanci për asnjë transaksion financiar.

Procesi për regjistrimin e plotë të pronës në fshat është detyrim imediat.

Ky process REGJISTRIMI DHE INVENTARIZIMI i pronës në fshat, duhet të shoqërohet me rivlerësimin e saj në përputhje me parametrat e tregut. Kjo analizë do të japë një nivel të ri të vlerës së ekonomisë sonë kombëtare.

PD kërkon që fshati shqiptar ta ketë pronën bujqësore një asset – i cili konvertohet në zhvillim dhe në të drejta e përgjegjësi ekonomike që lartësojnë virtytin e punës dhe dëshirën për përparim të fermerit.

PD kërkon që ndaj fermerit të marrë fund presioni korruptiv për regjistrimin e pronës.
Duke e kthyer këtë në një process të detyrueshëm për shtetin – mundësia e cilitdo për të kërkuar para’ për këtë reformë të domosdoshme kombëtare dhe për të vjedhur fermerin e varfër elbasanas – bie njëherë e përgjithmonë.

4. PËRPILIMIN DHE MIRATIMIN E HARTËS SË PRODUKTEVE NË FSHAT – ME MBROJTJE FISKALE

 

Cdo vend i zhvilluar europian ka hartuar mbi tokën bujqësore një Hartë të Produkteve Agrare – që mbështetet mbi:
– Cilësinë e tokës;
– Rendimentet optimale sipas kulturave;
– Traditën e një zone;
– Kërkesat e tregut dhe projeksionet ekonomike të rritjes / ndryshimit të konsumit;
– Risitë teknologjike dhe oportunitetet e reja në tregjet kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare;

Sipas kësaj Harte realizohet edhe planifikimi i prodhimit agrar – bazë e politikës së Sovranitetit Ushqimor të një vendi.

Kjo nënkupton që nëse harta e prodhimit bujqësor saktëson se Elbasani duhet të prodhojë DUHAN – një prodhues duhani nga një zonë që nuk është përcaktuar si prodhuese duhani – do të paguajë taksë për produktin që del nga harta e përcaktuar e prodhimit.

Kështu shteti mund të mbrojë prodhuesin vendas dhe njëherësh të vendosë kuota për importet.
Ky process planifikimi garanton shitjen e prodhimit vendas, suksesin e fermerit në treg dhe njëherësh mbrojtjen e konsumatorit kombëtar.

PD do të punojë menjëherë për hartimin e kësaj Harte të Prodhimit Bujqësor – në bashkëpunim dhe konsultim të afërt me komunitetet e fermerëve, mbështetur mbi analiza të rifreskuara të gjendjes së tokës arë dhe tokave në cdo rajon.

5. NXITJEN E AGROPËRPUNIMIT – PËRMES PLANIFIKIMIT AGRAR TË PRODHIMIT

 

Një tjetër formë e mbrojtjes së fermerit është Planifikimi dhe Zhvillimi i një Industrie të Agro-përpunimit – të vendosur pranë cdo qarku ku prodhimi rajonal garanton një mundësi rritje të prodhimit përtej kapacitetit konsumator stinor të tregut.

Në këtë mënyrë – fermerët kanë një minimum të prodhimit të tyre të para-shitur tek Agro-përpunuesit, ata dalin në treg gjithashtu – drejtpërdrejt ose përmes shoqërive të grumbullimit dhe marketingut të prodhimit bujqësor – duke garantuar shmangien e humbjeve.
Në të njëjtën kohë – shteti – në nivel qëndror dhe vendor është në gjendje të ftojë dhe të nxisë investime të brendshme ose të jashtme në nivel qarku – duke garantuar një parim bazë të Zhvillimit të Qëndrueshëm: Zhvillimin e Balancuar Rajonal.

Aktualisht është e papranueshme që mes Fierit dhe Elbasanit të ketë një dallim kaq të madh në treguesit e zhvillimit njerëzor.
Kjo tregon se politika ka dështuar.

I vetmi investim me peshë ka qenë zhvillimi i rrugëve rurale – një program i qeverisë Berisha.
Gjithashtu falë qeverisë Berisha u negociua dhe filloi programi i përmirësimit të infrastrukturave të shërbimeve jetike në fshat – me ujësjellësit e vegjël dhe ndërhyrje të tjera. Ky proces – u ngadalësua me ardhjen e qeverisë Rama dhe vetëm tani KfË Gjermane po bëhet gati t’a rifillojë si proces – përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Një infrastrukturë shërbimesh parësore – ujë, drita, pastrim – në nivel njësish administrative të vogla (ish – komuna) garanton hyrjen e investimeve industriale të agro përpunimit në fshat dhe i jep fshatit fuqinë e humbur nga një garë e pabarabartë në treg, më shpesh kundër importeve që reflektojnë implikim politik interesash.

6. NXITJEN E KRIJIMIT TË EKONOMISË SË ULLIRIT

 

Elbasani ka gjithsej 17,561 rrënjë ullinj, 1,638 prej të cilëve prodhojnë ullinj tavoline.
Prodhimi i ullirit në Shqipëri thuajse është trefishuar (në rreth 100 000 – 120 000 tonë gjatë 2 viteve të kaluara) krahasuar me fillimin e viteve 2000. Edhe prodhimi i vajit të ullirit është rritur ndjeshëm, duke arritur në 20 000 tonë vitin 2017. Prodhimi është ende shumë i fragmentizuar dhe rendimenti është mjaft i ulët.
Industria e përpunimit të vajit të ullirit është më tepër një industri që u shërben të tjerëve – fabrikat përpunojnë ullinjtë për llogari të fermerëve. Kjo është një nga arsyet kryesore se përse organizimi i këtij zinxhiri është shumë i dobët.
Pavarësisht rritjes së prodhimit të ullirit, ka një tepricë kapacitetesh përpunuese (shumica e njësive të përpunimit nuk shfrytëzohen në kapacitetin e tyre të plotë). Ky është edhe mendimi i përpunuesve të intervistuar – ekzistenca e mbikapaciteteve në përpunim nënkupton se investimet në njësi të reja përpunimi nuk do të ishin rentabël.

Elbasani ka potencialin për t’u bërë prodhuesi numër 1 në Shqipëri për vajin e ullirit.
Kjo kërkon fuqizimin e investimeve në ullishte – dhe një përmirësim të teknologjive të fabrikave të përpunimit – që është detyrë e privatëve.


7. RIVLERËSIM MJEDISOR DHE RRITJA E TË ARDHURAVE NË BUJQËSI

 

Elbasani si qark në total prodhon – vetëm në prodhime bujqësore – mbi 1.150.000 ton produkte. Megjithatë Elbasani ka një prodhim të brendshëm brutto më pak se 100 miljon lek të reja.

Janë 92.000 frymë që jetojnë me bujqësi në qarkun e Elbasanit. Qeveria shqiptare nuk i numëron për njerëz ata: i quan të vetë punësuar, kur janë duke vdekur për bukë u jep një ndihmë ekonomike që më vjen turp ta them sa është… Vetëm 3.850 fermerë prej tyre janë të regjistruar me NIPT, dmth pak a shumë 12.000 njerëz. 80.000 të tjerët mezi mbijetojnë.

Falë stigmës mjedisore të mbetur në këmbë si gërmadhë pas mbylljes së Metalurgjisë, 55% e banorëve të qarkut tonë që jetojnë në fshat – dmth më shumë se gjysma e 270 banorëve– i shesin produktet e veta me një cmim 30-40% më të ulët se mesatarja e cmimeve të tregut.

Rivlerësimi i parametrave realë mjedisore dhë ndërhyrja më e mirë në kontrollin e ndotjes – rrit pasurinë dhe të ardhurat e fshatit në mënyrë të mënjehershme. Mendoni sikur t’ja rrisni një familjeje të ardhurat e saj me 30% pa i dhënë asgjë përvec kujdesit dhe dinjitetit të së vërtetës ekonomike dhe mjedisore ku ajo jeton e punon. Kaq është! Dhe ne do ta bëjmë këtë pa vonesë.

Nëse i shtojmë kësaj agro-përpunimin përmes një cikli përplotësues të zinxhirit furnizues, do të kuptojmë se Elbasani vërtet ka një të ardhme të shkëlqyer.
Elbasani është prodhuesi i tretë më i rëndësishëm i patates në vend. Elbasani prodhon 92.000 ton perime në vit. Elbasani ka më shumë rrënjë ullinj se Berati – dhe ka një hapësirë të pafund natyrore dhe një premisë të lindur për këtë kulturë.

Krejt cështja shtrohet: si qeveriset një territor!

8. FURNIZIM ME UJË I DUMRESË

Emri i Dumre’-së është një lutje për shi. Thatësira e kësaj zone ndikon rëndë produktivitetin e saj dhe cënon krejt repertin turistik të rrallë që ajo ofron.

Ne synojmë furnizimin me ujë të Dumresë për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë një plagë historike; ky rajon dhe Belshi ofrojnë shanse ideale për turizëm, bujqësi organike dhe zhvillim tërësor. Studimi inxhinjerik për këtë zgjidhje ka nisur, duke u mbështetur mbi prurjet e Devollit dhe mbi potencialin e ujrave që më herët janë përdorur për energji.

Ka një alternativë të shkëlqyeshme për t’a adresuar këtë problem dhe ne kemi besimin e plotë se në bashkëpunim me shtetin dhe sektorin privat – kemi definuar një zgjidhje afatgjatë që ripërtërin shanset e zhvillimit të bujqësisë e turizmit në Dumre’.

9. KATËRFISHIM I PRODHIMIT TË BIMEVE MEDICINALE PËR NJË INDUSTRI VENDASE TË KOZMETIKËS DHE FARMACEUTIKËS

Elbasani është prodhuesi i dytë më i madh në Shqipëri i bimëve medicinale dhe erzave. Ne kemi sot një numër dëshmish për një grup bimësh të vecanta me rendiment të lartë ekonomik si shafrani dhe jo vetëm ai.

Gramshi dhe krejt zona pyjore e Librazhdit, tokat e Cërrikut dhe shumë zona kodrinore – malore në qarkun e Elbasanit ofrojnë kushte ideale dhe një potencial të rrallë për një nënsektor të shkëlqyer, i cili në nivel botëror punon me porosi, të cilat vijnë një vit më herët dhe orientojnë shfrytëzimin e sipërfaqeve të tokës dhe punën e kërkuar për t’i dhënë tregut cilësinë dhe sasitë e kërkuara.

Me një prodhim të orientuar dhe me një industri pritëse të përpunimit – ne mundemi – e para – të katërfishojmë prodhimin e bimëve medicinale dhe erzave në këtë qark; në periudhën e regjimit komunist – një kompani e vetme e grumbullimit dhe eksportit të tyre bënte 40 milion dollarë shitje në eksporte. Sot mbi 150 kompani në rang vendi – mezi bëjnë 20 milion dollarë.
Sepse reperti natyror i bimëve është dëmtuar rëndë. Dhe sepse koncepti i orientimit në prodhim nuk është mbështetur me investime.

E dyta: nëse ne përmbushim kushtin e parë, ne mund të kemi në Elbasan një industri të integruar farmaceutike dhe kozmetike. Përqëndrimi i proceseve përpunuese në një qendër industriale të standartit europian – jo thjesht në fabriketta distilimi të esencave – garanton që Elbasani të shfrytëzojë fuqinë e vet konkuruese si nyje transporti rajonal – duke qenë më afër se cdo qendër tjetër me tregjet europiane, falë daljes në det përmes portit të Durrësit.

Le të kuptojmë se rajoni i Europës Juglindore përfshi Rumaninë prodhon 15% të repertit botëror të erzave dhe bimëve mjekësore. Me këtë fuqi të shtuar, ne realisht jemi në gjendje të gjenerojmë një industri të re dhe padyshim të pasurojmë panoramën tonë ekonomike me dy segmente të reja: turizmin shëndetësor dhe shkollën e farmacisë së bimëve (farmakopea) për qëllime kozmetike dhe mjekësore.

10. 100.000 KOSHERET – PROJEKT I BLETARISE

 

Unë propozoj që ne të përdorim nxitjen e Bletarisë për rritjen e produktivitetit bujqësor. Jemi një qark ku 148.500 frymë jetojnë me prodhimet e tokës dhe falë tyre.

Përmes programeve europiane dhe gjithashtu përmes subvencioneve të qeverisë së ardhshme shqiptare – unë mendoj se Elbasani mund të ndërtojë një nënsektor të fuqizuar të apikulturës.

Bleta jo vetëm realizon pllenimin e luleve duke rritur drejtpërdrejt prodhueshmërinë bujqësore dhe lulëzimin e një mjedisi, por ajo njëherësh mbron konsumatorin nga rastet e abuzimit të fermerëve me kimikate. Një zonë ku bletët vdesin – dëshmon për përdorim të kimikateve.

Efektet shëndetësore të ushqimit mbi popullatën janë për mua po aq të rëndësishme sa edhe mirëqënia e fermerëve.

Në këtë kuptim – një investim prej 4-5 milion euro për 100.000 koshere në parqe bletarie të shtrirë në krejt qarkun – do t’i jepte Elbasanit një numër avantazhesh konkurues edhe në rrafsh rajonal… Pa folur për industritë mbështetëse që gjeneron ky nënsektor – nga kozmetika deri tek farmacia organike – propolis, polen, qumesht mbretereshe, etj.

Ne mund ta përdorim këtë nënsektor edhe si zbutës të varfërisë dhe si rrugë punësimi për shtresat në nevojë – duke ndërtuar një shkollë të dedikuar të apikulturës në qark dhe kurse formimi professional të bletërritësve.

Nga Peqini në Prrenjas, e nga Gramshi në Cërrik, nga Bradasheshi në Librazhd e deri në Rrajcë – ne jemi në gjendje të gjenerojmë brenda tre vitesh përmes këtij projekti një prodhim organik të mjaltit prej 8-12 mijë ton/ vit. Kjo do të krijonte disa qindra vende pune dhe gjithashtu, kjo nënkupton një të ardhur brutto prej jo më pak se 50 – 70 miljon euro vlerë tregu.

 

Share on facebook
Facebook
Share on twitter
Twitter
Share on linkedin
LinkedIn
Share on google
Google+
Share on whatsapp
WhatsApp