TE ADMINISTROJME FITOREN

Nga Luçiano Boçi*

Balonat ngrihen lart përkundër erës, jo falë saj, – thotë Uinston Churchill. Eshtë e pritshme që opozita të ndeshet në këto zgjedhje me një tufan të vërtetë reagimesh të paligjshme, që kanë nisur të shpallen qysh në ditën e parë të fushatës.
Shpërdorimi i të dhënave personale, presioni partiak ndaj të gjithë qytetarëve të lirë – duke shfrytëzuar një rrjet sigurimsash të partisë shtet, dhuna politike ndaj administratës dhe keqpërdorimi i çdo tagri të saj, blerja e votës dhe më e fundit – mashtrimi masiv përmes Kadastrës janë vetëm maja e aisbergut të fakteve pse kjo administratë e korruptuar deri në palcë meriton të largohet me ceremoni nga pushteti. Largimi i saj është shenja e fitores së opozitës, por jo zemra e fitores së saj.
Mënyra sesi opozita e bashkuar do ta administrojë fitoren është dhe mbetet fjala kyçe e kësaj përmbysjeje historike.
Tashmë edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë është e qartë se institucionet e reja të drejtësisë nuk janë të lira nga frika që ka mbjellë banda e Edi Ramës në pushtet. Frika e hakmarrjes kriminale dhe e ndëshkimit politik qartazi po shenjon sjelljen e SPAK në këto momente ndryshimi.
Fakti që ambasada amerikane po ndjek nga afër gjyqin e Emiliano Shullazit për të marrë prej tij cdo indicie që implikon politikanët frymëzues dhe të lidhur me krimin e organizuar, më bind edhe më shumë se Shqipëria po hyn në një çast kthese historike, për të rifituar pavarësinë e pushteteve dhe shtetin e saj ligjor.
Pas vitesh të vuajtjes dhe të dhunimit permanent, opozita dhe gjithë mbështetësit e saj kanë detyrimin që të kapërcejë ndjesinë e hakmarrjes dhe t’u hapin rrugë institucioneve – sado të pabesueshme deri më sot – që të veprojnë ligjërisht.
Opozita duhet të tregojë të gjithë vetëpërmbajtjen dhe njëherësh seriozitetin e duhur për të proceduar penalisht pranë institucioneve tashmë të çliruara nga presioni politik të gjithë ata që kanë shkelur ligjin. Për fatin e mirë të opozitës, kjo administratë arrogante ka vepruar kaq hapur dhe në mënyrë kaq flagrante.
Po ashtu, të gjithë ata që janë evidentuar si autorë të krimeve zgjedhore do të duhet të procedohen – pa dallim përkatësie politike, për t’i dhënë fund njëherë e mirë guximit që dhunon ligjin dhe vret demokracinë.
Është mission historik i opozitës që të garantojë administratën dhe t’i kërkojë asaj që të mbështesë me dinjitet procesin e integrimit në detyrë të titullarëve të rinj politikë, për të ndërtuar një process të ligjshëm e të besueshëm të rritjes cilësore të shërbimeve ndaj publikut.
Opozita po sjell në shtet një filozofi të re – larg presionit korruptiv dhe tolerimit të krimit ekonomik. Administrata e çdo niveli ka për detyrë ta mveshë këtë rol në mënyrë substanciale dhe ta jetësojë atë plotësisht në sjellje, sipas një kodi të ri të etikës së shërbimit publik.
Përpara të gjithë këtyre, është detyrë e opozitës që të përballojë me qetësi dhe maturi ngjarjet që mund të shoqërojnë procesin e votimit dhe të numërimit, për të ruajtur integritetin e rezultatit dhe duke shmangur ekseset që qeveria ka dëshmuar se i pëlqejnë.
Opozita ka një partnër të çmuar në këto zgjedhje: është publiku shqiptar! Hapësira për të prodhuar transparencë, shikueshmëri në kohë reale të çdo ngjarjeje, potenciali për një raportim në rrjet dhe bërja të lexueshëm të çdo provokimi apo rasti dhune janë fuqi të shtuara të opozitës për të provuar të vërtetën e fitores së saj – që në fakt do të jetë fitorja e vërtetë e publikut.
Suksesi i vërtetë i fitores së opozitës është në mënyrën sesi ajo do ta transferojë pronësinë e kësaj fitoreje tek publiku. Angazhimi real i tij në mbrojtje të votës dhe në mbështetje të së vërtetës mbetet pjesë e misionit të opozitës për të administruar me sukses këtë fitore tashmë të lexueshme.
Shqipëria fiton sepse qytetarët fitojnë – me opozitën në krye! Le të udhëheqim me dinjitet një ndryshim të pashmangshëm.

Share on facebook
Facebook
Share on twitter
Twitter
Share on linkedin
LinkedIn
Share on google
Google+
Share on whatsapp
WhatsApp