Fjala ne Eventin e Sfides se Ideve

Miqtë e mi,

Ju ndoshta nuk e dini se çfarë fati është për një njeri të moshës sime të jetojë e të punojë i rrethuar me të rinj… Metafizika emotive me të cilën jeton rinia gjallëron tek ne, të rriturit – atë shqisë përjetësie dhe atë guxim që e bën çdo sfidë të realizueshme, e bën çdo qëllim të arritshëm dhe njëherësh forcon besimin se bota mund të bëhet një vend më i mirë.

Përballë jush, unë dua të falenderoj të gjithë të rinjtë me të cilët jam ndeshur – studentët e mi, vullnetarët e gjithë sprovave të mia politike, miqtë e mi të një moshe tjetër, për dhuratën e paçmuar që më kanë bërë. Falë jush ndjehem dhe do vazhdoj të ndjehem i ri.

Sfida e Ideve “I Have a Dream” ishte për mua ndoshta kënaqësia më e madhe e kësaj fushate. Kam vetëm një keqardhje: duhej ta kishim nisur muaj përpara! Prurjet tuaja më kanë pasuruar pa fund dhe më kanë ndërtuar një optikë që jam i sigurt e ka lakmi çdo kandidat politik. Unë e prisja që rinia të ishte Krijuese dhe Frymëzuese. E kisha harruar sa të mrekullueshëm jeni!

Jam pa fjalë përballë morisë së propozimeve që keni sjellë bujarisht dhe me një logjikë për t’u pasur zili.

Eni Lamçe… Të falenderoj për propozimin tënd për krijimin e një shoqate të këshillimit juridik për qytetarët… Koncepti i propozimit tënd “Të Drejtat e Mia” – për t’u treguar qytetarëve çfarë u jep ligji, në të drejta dhe detyrime, dhe për t’i orientuar ata në marrëdhënie me institucionet – shtetërore apo private, si një rrugë që frenon korrupsionin dhe gjallëron besimin tek ligji, është i shkëlqyer.

Agim Gremi, e lexova me shumë ëndje propozimin tënd “Ide inovatore për Ndërtimin e Paqes dhe Transformimin e nje rinie aktive”. Mendoj se propozimi yt nëse pasurohet me elemente të tjerë vetë-mbështetës për ta bërë atë afatgjatë, është i mrekullueshëm.
Serxhio Gjeli, miku im krenar… E lexova me gëzim propozimin tënd për krijimin e një shoqate të dedikuar në evidentimin e talenteve të reja në sporte. Jam krejt dakort. Unë vij nga një passion i fortë sportiv dhe gjykoj se rinia e Elbasanit ka jo vetëm shumë nevojë, por edhe shumë brumë për t’i dhënë sportit shqiptar shkëlqimin e një kohe. Krijimi i një mjedisi aktiv, për një rini të shëndetshme – larg kafenesë dhe tymit të çdo lloji, krijimi i një bote tërheqëse për të rinjtë që zhvillon vullnetin, qëndrueshmërinë dhe vetë-disiplinën është i domosdoshëm.
Aishe (Sula) Paçe, kurrë nuk kam qenë më shumë dakort me një ide si e juaja. Rishikimi i Meritokracisë në nivel institucional për të garantuar që administrata punëson realisht më të mirët – është një imperativ për ne dhe një premtim politik solemn i Partisë Demokratike. Vështrimi juaj për ta mbështetur këtë mbi diplomat shkollore më shumë se mbi rezultate konkursesh është po ashtu një sugjerim i vlerë, që unë do ta ngrej në nivel institucional, menjëherë pas zgjedhjeve.
Romario Zoga është një inxhinier mjedisi. Do të kisha dashur shumë që të kishte qenë me mua në tryezën e ekspertëve të mjedisit. Padyshim ideja e tij për një nderhyrje në rehabilitimin e mjedisit në Elbasan është shqetësim i të gjithëve dhe një vizion i pëlëkundur i imi. Unë do ta ftoja lumturisht t’i bashkohej Tryezës së Përhershme të Ekspertizës që do të ngremë për disa sektorë – mënjeherë pas zgjedhjeve, për të krijuar atë pol konsulence që mbetet jetike për administrimin e mirë të burimeve dhe ideve. Ky qark është thesar – në njerëz dhe në burime. Falemderit Romario… të mirëpres…
Fabrio Bilali, një student i mrekullueshëm në Bologna të Italisë ka sjellë një propozim që tejkalon idenë time të parë, të cilën e mbiquajta “Qyteti I Ëndrrave”.
Fabrio ka sjellë një propozim për krijimin e shoqatës kombëtare të studentëve shqiptarë në Europë dhe në Botë – si një strukturë e atashuar pranë Ministrisë së Arsimit ose edhe vetë zyrës së Kryeministrit për të luftuar fenomenin e frikshëm të “brain drain” – ikjes së trurit – dhe për të garantuar rikthimin në Shqipëri të burimeve tona të kualifikuara njerëzore, aq të çmuara për vendin.
Dua të falenderoj edhe një njeri, që ndoshta për arsye të frikës politike me të cilën është qeverisur Shqipëria deri më sot, nuk e ka thënë dot emrin. Eshtë një mësuese e papunë, e cila mënçurisht kërkon që ata, të cilët përzgjidhen nga Portali Mësues Për Shqipërinë – të hiqen më pas prej aty, për t’u hapur rrugën në konkurim të diplomuarve, të cilët janë ende në kërkim të një vendi pune…
Kjo vajzë e ndershme kërkon thjesht krijimin e niveleve të konkurimit në një Portal që supozohet se përzgjedh mësues pa ndërhyrje politike. Unë marr përsipër ta shqyrtoj këtë propozim menjëherë!
Mund të vazhdoja me orë t’ju shpjegoja sa e sa propozime kanë ardhur, ide që në njëfarë mënyre më bindin se të rinjtë e Elbasanit nuk heqin dorë nga shpresa se ky vend mund të bëhet…
Dhe unë dua t’ju them se e besoj këtë: Ky vend – bëhet!
Sfida e Ideve pas pak ditësh do të përndiqet nga sfida e votimit për të çliruar Shqipërinë nga uzurpatorët e së drejtës, nga shkelësit e ligjit, nga mashtruesit e shpirtrave të lirë. Rinia e Elbasanit do të fitojë këtë herë.
Unë besoj tek Qyteti I Ëndrrave. Unë besoj tek Qyteti që flen brenda shpirtit tuaj të lirë e krijues, tek vizioni juaj për një Shqipëri të së nesërmes.
Ndoshta është rasti që në emër të një brezi tjetër – t’ju kërkoj falje që nuk ju kemi ndërtuar dot një vend aq të mirë sa ç’e meritoni. Por po ashtu dua që ta dini se jam këtu ngase besoj se së bashku mund ta ngremë një botë me te mire, nje bote qe e meritoni dhe ju meriton!
Elbasani Fiton! Me ju – Shqiperia Fiton!

Share on facebook
Facebook
Share on twitter
Twitter
Share on linkedin
LinkedIn
Share on google
Google+
Share on whatsapp
WhatsApp