I nderuar z. Ahmet,
Të nderuar anëtarë të Klubit Ekologjik të Elbasanit,

Tryezat me ekspertë janë për mua një privilegj i vecantë për të mësuar atë që ju keni një jetë që zhvilloni dhe mbikqyrni.
Eshtë pasuri e rrallë të kesh ekspertë të cilët të tregojnë në terma teknikë e historikë problemet me të cilët përballet një territor dhe komunitetet e tij.

Historikisht, media ka ardhur në Elbasan për dy lloj lajmesh: për ndotjen mjedisore dhe papunësinë!
Unë besoj se ka ardhur koha të ndryshojmë profil – si qytet e si qark.

Të flasësh për mjedisin në Elbasan është Kënga e Këngëve në programin tim. Jo vetëm pse “Drakula” e Metalurgjisë ka lënë pas një legjendë mjedisore që frikëson këdo. Por edhe për shkakun se aktualisht kjo stigëm cënon rëndë fermerët në të gjithë qarkun dhe i humb 148.500 njerëzve të paktën 30% në të ardhura bujqësore.

Një qark i madh si Elbasani, i cili ka qenë ndoshta qendra më e rëndësishme industriale e vendit për gjysëm shekulli – është e natyrshme që të ketë probleme mjedisore. Por ne kemi një begati ujore të cmuar me lumenjtë e mëdhenj të qarkut – Devollin e Shkumbinin, me liqenet karstike të Belshit, një pasuri turistike të rrallë anë-e-mbanë territorit, një hapësirë pyjore që për fat të keq është dëmtuar shumë nga politikat personale të atyre që sot kërkojnë votën, një repert të rrallë bimësh mjekësore dhe erzash…
Dhe kemi 55% të popullsisë që jeton me bujqësi dhe blegtori.

Qarku i Elbasanit është i dyti më i rëndësishmi në vend pas Fierit për produktin agrar. Dhe padyshim më i larmishmi. Prej 50.000 ha të mbjellë me bimë arash, vetëm 2.400 ha janë perime.
Elbasani është ndër prodhuesit kryesorë të patates në vend me 27.000-ton në vit – por nuk ka asnjë industri përpunuese të saj.
Qarku ynë vjen i dyti në Shqipëri pas Shkodrës për prodhimin e bimëve medicinale edhe pse treguesit e fundit thonë se tashmë jemi të parët. Megjithatë vetëm 412 ha përdoren për prodhimin e tyre.
Mbi 41.000 ha përdoren për drithëra – me një rendiment shumë të ulët. Pas Fierit, ne prodhojmë në drithra 195.000 ton.
Elbasani si qark prodhon 92.000 ton perime, 67.500 ton prej të cilave dalin në treg si perime të njoma, me një cmim 30-40% më ulët se në cdo qytet tjetër të Shqipërisë. Qeveria e ka mallkuar Elbasanin me një imazh mjedisor që të dëshpëron.
Elbasani ka gjithsej 37.000 dru frutorë prej të cilëve 17.500 ullinj (më shumë se Berati) dhe 27.000 mijë rrënjë vreshta.
Ne jemi një qark ku ka 98 mijë krerë gjedhë, prej të cilave 59 mijë janë lopë. Ne kemi 195.000 bagëti të imta – prej të cilave 140 mijë janë dele. Qarku ka një begati prej mbi 600 mijë shpendë dhe gati 24.000 kuaj dhe kafshë njëthundrake.
Në total Elbasani si qark prodhon nga bujqësia mbi 1.150.000 ton prodhime. Megjithatë Produkti i brendshëm brutto i Elbasanit mezi kalon 100 miljon lek të reja – duke u rritur prej vitit 2011 tre herë më ngadalë se norma e inflacionit.
Për këto arsye, një qytetar në Elbasan ka në dispozicion mesatarisht 14.000 lek në muaj për frymë sipas INSTAT-it. Kjo përkthehet 3.5 euro në ditë.
Mjerimi nuk ka dot emër tjetër! Ta themi troç: Elbasani jeton në MJERIM!
Shkurt – unë besoj se vizioni ynë për mjedisin duhet të adresojë të shkuarën po aq sa edhe t’i përgjigjet të ardhmes së qarkut – duke favorizuar bujqësinë organike, pyllëzimin, rigjallërimin e ekonomisë miqësore me mjedisin dhe përmirësimin e pandalshëm të gjurmës njerëzore mbi mjedisin.

Unë jam këtu për të dëgjuar prej jush si specialistë një përshkrim të detajuar të gamës së problemeve mjedisore të qarkut.
E përsëris, pa përfshirjen tuaj asnjë zgjidhje nuk mund të jetë e qëndrueshme, as afatgjatë.

Ju falemderit!

 

Ndërhyrje:

Unë do doja të propozoja këtu me Ju një projekt, të cilin e kam elaboruar me stafin tim: Nxitjen e Bletarisë për rritjen e produktivitetit bujqësor…

Përmes programeve europiane dhe gjithashtu përmes subvencioneve të qeverisë së ardhshme shqiptare – unë mendoj se Elbasani mund të ndërtojë një nënsektor të fuqizuar të apikulturës.

Bleta jo vetëm realizon pllenimin e luleve duke rritur drejtpërdrejt prodhueshmërinë bujqësore dhe lulëzimin e një mjedisi, por ajo njëherësh mbron konsumatorin nga rastet e abuzimit të fermerëve me kimikate. Një zonë ku bletët vdesin – dëshmon për përdorim të kimikateve.

Efektet shëndetësore të ushqimit mbi popullatën janë për mua po aq të rëndësishme sa edhe mirëqënia e fermerëve.

Në këtë kuptim – një invest im prej 4-5 milion euro për 100.000 koshere në parqe bletarie të shtrirë në krejt qarkun – do t’i jepte Elbasanit një numër avantazhesh konkurues edhe në rrafsh rajonal… Pa folur për industritë mbështetëse që gjeneron ky nënsektor – nga kozmetika deri tek farmacia organike – propolis, polen, qumesht mbretereshe, etj.

Ne mund ta përdorim këtë nënsektor edhe si zbutës të varfërisë dhe si rrugë punësimi për shtresat në nevojë – duke ndërtuar një shkollë të dedikuar të apikulturës në qark dhe kurse formimi professional të bletërritësve.

Nga Peqini në Prrenjas, e nga Gramshi në Cërrik, nga Bradasheshi në Librazhd e deri në Rrajcë – ne jemi në gjendje të gjenerojmë brenda tre vitesh përmes këtij projekti një prodhim organik të mjaltit prej 8-12 mijë ton/ vit.

Kjo nënkupton një të ardhur brutto prej jo më pak se 50 – 70 miljon euro vlerë tregu.

 

Share on facebook
Facebook
Share on twitter
Twitter
Share on linkedin
LinkedIn
Share on google
Google+
Share on whatsapp
WhatsApp