Të nderuar miq,

Gjithmonë kam pas menduar se ekonomia është pika ime e dobët. Duke parë sesi qeveris Edi Rama, kam filluar të mendoj ndryshe… (qeshje)
Në fakt në aspektin e parametrave ekonomikë – unë kam nënvizuar në programin tim disa pika kyçe:
Raporti mes GDP-së reale dhe asaj që deklaron qeveria – një vlerë që denoncon një informalitet ekonomik prej 65%;
24 miliard dollarë të veprimtarisë ekonomike mungojnë në librat kontabkontabël të qeverisë;
8 miliard dollarë cdo vit i mungojnë llogarive të buxhetit të shtetit – falë oreksit korruptiv të administratës Rama;

Sot Banka Botërore flet për një dekadë të humbur ekonomike që do të shpenzohet për të rekuperuar dëmet e COVID-19. Aktualisht Shqipëria ka pësuar një tkurrje prej 9% të ekonomisë. Nëse nuk ndryshon menjëherë kursin e drejtimit, vendi rrezikon një kolaps të plotë ekonomik.

Papunësia në Shqipëri deklarohet zyrtarisht në rreth 6%, por këtu nuk llogariten mbi 41.4% e popullsisë që jeton në fshat – dhe që konsiderohet e vetëpunësuar; po ashtu këtu nuk numërohen as studentët. Në qarkun e Elbasanit, nga një popullsi qytetse prej 120.150 vetësh – vetëm 16.800 persona janë në marrëdhëniue pune. 14% e banorëve! Kjo e dhënë zyrtare është tronditëse.

Por më shumë sesa prej papunësisë, vendi vuan nga tregu i zi i punës. Dy janë fenomenet sunduese të tij:
mosdeklarimi i saktë i numrit të punonjësve efektivë;
deklarimi i pagës së të regjistruarve në system shumë më ulët se vlera reale e pagës që marrin në dorë.
Ky treg i punës së zezë shkatërron njëherësh disa parametra të një ekonomie normale dhe prish skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ky treg ushqen informalitetin në nivel të deklarimit fiskal (duke i bërë kompanitë të punojnë me dy bilance) dhe deformon ligjshmërinë në tregun monetar.

Deficiti tregëtar i vendit është këmbanë alarmi për strukturën ekonomike që po trashëgojmë nga kjo qeveri që po ikën.
Në dy mandate qeveria Rama e rriti borxhin e jashtëm me 2.8 miliard dollarë, pa llogaritur borxhin e freskët për dëmet nga tërmeti që do arrijë në 1 miliard dollar. Ndërkohë aftësia e shërbimit të borxhit të jashtëm është humbur qysh në përfundim të mandatit të parë të qeverisë. Pavarësisht kësaj qeveria Rama nuk ka hezituar ta thellojë deficitin buxhetor – duke fryrë shpenzimet përtej të ardhurave.

Ndërkohë depozitat bankare në bankat e nivelit të dytë kanë ardhur duke u rritur – shenjë e qartë e stanjacionit dhe e pafuqisë aktuale të biznesit për të gjeneruar rritje. Ky është njëherësh edhe një potencial premtues nëse dimë të zhvillojmë ekonominë.

Një gjë është thelbësore dhe dua ta them: Elbasani është një qark shumë I pasur në burime për të jetuar në këtë skamje. T’i bindësh njerëzit me dhunë se janë të varfër, t’i shtrëngosh të jetojnë në varfëri të thellë – vetëm për të ruajtur të drejtën që t’i sundosh është MIZORE.

Por nuk dua të merrem më gjatë me Ramën. Ai ka ikur tashmë. Unë kam një program për Elbasanin dhe dua ndihmën tuaj për ta realizuar.

Unë dhe stafi im po punojmë për të trupëzuar idenë e ndërtimit në Elbasan të një qendre të integruar të arsimit universitar, të kërkim – zhvillimit industrial dhe të një inkubatori për startup-et. Kjo qendër do t’i japë Elbasanit një kampus me 20 mijë studentë nga Europa Qendrore dhe Lindore, përfshi Ballkanin. Nxitja e konsumit dhe aktivizimi i shoqërive të reja që do të gjenerojë kërkim-zhvillimi industrial, besoj se i jep qarkut një moment të ri zhvillimor.

Unë besoj se regjistrimi i menjëhershëm dhe inventarizimi përmes rivlerësimit në treg të tokës bujqësore u jep 148.500 banorëve të fshatit elbasanas një asset tregu të këmbyeshëm.

Unë besoj se hartimi dhe miratimi I një harte të produkteve bujqësore – duke i garantuar fermerit mbrojtje fiskale mbështet investimet në bujqësi. Ekonomia e Ullirit është një mundësi e artë për ne – për t’u bërë prodhuesi nr.1 në Shqipëri. Mbështetja për shërbimet në ullishta dhe për zgjerimin e hartës së ullirit pararend cdo investim tjetër.

Ne kemi hapësirë që të krijojmë njësi të agropërpunimit pranë cdo qëndre lëndësh të para bujqësore, duke favorizuar investimet e brendshme mbi logjikën e parablerjes së produktit bujqësor dhe krijimit të një zinxhiri të sigurt të vlerës së shtuar.

Unë synoj katërfishimin e prodhimit të bimëve medicinale dhe aromatike mbi bazën e një prodhimi të orientuar – mbështetur mbi një industri vendore të prodhimit të esencave dhe të nënprodukteve të tjera. Elbasani prodhon shafran. Elbasani është ne zemër të Europës Juglindore ku prodhohen 15% e bimëve medicinale të globit.

Të shtunën prezantojmë zyrtarisht Projektin e Bletarisë – 100.000 KOSHERET – që unë e vizionoj si një Biznes Social të jashtëzakonshëm, për të ndihmuar shtresat në nevojë, për të gjeneruar një industri të re – mbështetur mbi shkollën profesoinale të Apikulturës.

Potenciali ynë turistik është i pamatë, por ne nuk kemi turizëm. Një strategji e posaçme për Elbasanin do hartohet me pjesmarrjen tuaj direkte.

Unë këtu dua t’jua kaloj fjalën juve – ekspertëve të ekonomisë…Edhe njëherë ju falenderoj që ju bashkuat kësaj tryeze.

Falemderit!

 

 

Ndërhyrje:

Sa e mundshme është që të vizionojmë zgjidhje të reja financiare që promovojnë përfshirjen e publikut në investime – duke krijuar një model të ri të sektorit publiko-privat, të ndryshme nga logjika “kafsho-dhe-ik” që ka zbatuar qeveria Rama?

Unë do të sillja një shembull të zbatuar në Kaliforni:

Bashkia e Los Angeles ka ndërtuar një shoqëri publike të prodhimit të energjisë diellore – ku qytetarët janë përfshirë me tre mënyra:
Dhënien me qera të tarracave të shtëpive të tyre;
Bashkë-investim në sisteme;
Punësim;

Veshja me panele solare e tarracave të banesave – për sipërfaqen e pallateve dhe shtëpive private – është një gjë krejt e mundur në Elbasan.
Nëse pushteti vendor ndërton një shoqëri të tillë – ku qytetarët kanë 90% të pronësisë dhe partneri privat 10% – ne mund të kishim ndoshta edhe 200megavat të instaluar fuqie diellore në Elbasan. Kjo do të krijonte menjëherë një sector të ri shërbimesh dhe një qendër trajnimi për montuesit e këtyre sistemeve – dmth vende pune.

Por nëse kjo energji i shitet KESH-it, të ardhurat shoqëria I shpërndan sipas niveleve të pjesmarrjes:
Qytetarët që japin me qera çatitë, marrin investime publike;
Qytetarët që investojnë, marrin të ardhura;
Dhe qyteti fiton punësim të rëndësishëm dhe një kualifikim professional që e spikat në treg.


Padyshim ky hap kërkon një ndryshim në ligjin për energjinë, por parlamenti i ardhshëm besoj se është i gatshëm ta mbështesë një nismë të tillë.

Do doja mendimin tuaj për këtë.

Share on facebook
Facebook
Share on twitter
Twitter
Share on linkedin
LinkedIn
Share on google
Google+
Share on whatsapp
WhatsApp