VARFËRIA SI TEKNOLOGJI QEVERISJEJE

Nga Luçiano Boçi*

Në fund të vitit 2020, mbi 11 000 njerëz prisnin të gjenin një punë – të regjistruar në listat e Zyrave të Punës së qarkut Elbasan. Dy të tretat e tyre i përkasin Elbasanit dhe rrethinave. Ndihma ekonomike qesharake me 45 Euro për familje – edhe nëse kjo ka 10 anëtarë – shkakton vetëm sarkazëm.

E vërteta është se në Elbasan, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, qeveria e Edi Ramës ka përdorur një teknologji unike të nënshtrimit të njerëzve ndaj sundimit politik të Klikës. Kjo ka qenë varfëria. Sot një elbasanas ka mesatarisht 3.5 në ditë për të mbajtur frymën.

Shpejtësia me të cilën vendi u zhyt ngadalë e hidhur në një varfëri të rëndë njohu një përshpejtim të frikshëm pas pandemisë. Tërmeti I 26 nëntorit 2019 i shërbeu qeverisë për të justifikuar vjedhjet massive të fondeve të realizuara deri në atë kohë.

Vështirë se mund të gjehet një mënyrë më mizore për të shkallmuar rezistencën morale të nënshtetasve të tu – në emër të sundimit absolut. Kjo ndodhte ndërsa Edi Rama mori peng mediat, vrau debatin publik, “privatizoi” në duar klientësh qeveritarë shumicën e aseteve strategjike, ndërsa ushtroi një dhunë të pashoqe me kartonat në parlament, shkatërroi çdo urë ndërveprimi me opozitën dhe nëpërkëmbi përfund edhe paktet që nënshkroi vetë.

Me këtë regres tërësor marrëdhëniesh social-politike në vend, e vetmja formë për të ndalur një përgjigje civile të popullsisë së vjedhur dhe të dhunuar ishte varfërimi i tyre ekstrem dhe varësimi i gjithkujt tek buka e gojës. Ky process sot ka prekur majën.
Frika nga uria është bërë edhe njëherë motiv parësor i psikës së shqiptarëve, qysh pas rënies së komunizmit. Kjo “arritje” po shfrytëzohet tani për të ruajtur votën e dëshpëruar të ca njerëzve fatkeqë, që me njëqind siklete kanë blerë ose kanë marrë një punë në administratën shtetërore.

Komunizmi i ri i Ramës ngrihet pa ideologji, por me një instrument represiv po aq të pashpirt sa kërcënimi i ndëshkimit politik të kohës së Enver Hoxhës.
Kjo shpjegon largimin masiv të shqiptarëve në një emigracion pa kthim, braktisjen gati me urrejtje të vendit amë, apatrizmin e dhimbshëm të atyre që refuzojnë shtratin e viktimës dhe guxojnë të luftojnë për jetë a vdekje për bukën e gojës atje ku të paktën nuk ka një kriminel që ju bën moral.
Instrumentalizimi i dhunës së urisë si mjet i homogjenizimit politik dhe i nënshtrimit kolektiv mund të jetë një test i vjetër mbi shqiptarët.
Por ka një rrethanë që Rama ka harruar ta marrë në konsideratë: kjo është opozita!

Eshtë opozita ajo që po i tregon njerëzve se ata nuk janë të varfër; janë thjesht të vjedhur, se ky vend ka pasuri të pafund që mund të ngrenë përsëri në këmbë, denjësisht një komb dhe mund të mbështesin një shtet të begatë njerëzish krenarë.

Eshtë opozita ajo që po bind viktimat e Ramës se nuk ka fuqi në botë që t’i mbajë shqiptarët si kavje të eksperimentit social të varfërisë në shkëmbim të votës dhe të dorëzimit të shpirtit.
Mizoria e Edi Ramës do të mbahet mend gjatë, po aq sa shpejt do të harrohet emri i tij.

Share on facebook
Facebook
Share on twitter
Twitter
Share on linkedin
LinkedIn
Share on google
Google+
Share on whatsapp
WhatsApp