ELBASANI MERITON TË NDRIÇOJË NGA DIJA

Nga Luçiano Boçi*

Dekorimi i presidentit Meta me titullin e lartë ”Nderi Kombit” për atdhetarin, gjuhëtarin, leksikografin dhe iluministin e shquar Kostandin Kristoforidhi, erdhi në kohën e duhur. Ky personalitet i Elbasanit formoi në ndërgjegjen kombëtare atë që përbën ndoshta kontributin më të vlerë të këtij qyteti në historinë e re të Shqipërisë: dashurinë dhe respektin për arsimin si përmasën njehsuese të kombit.
Qyteti i Elbasanit përbashkon në vetvete pikëtakimin mes jugut dhe veriut, lindjes dhe perëndimit. Në këtë kuptim, ishte Elbasani që e krijoi Kristoforidhin dhe ai ja shpërbleu si askush. Përmes gjuhës dhe kulturës, Kostandin Kristoforidhi i madh na la pas mësimin se asgjë nuk e mbron më mirë identitetin tonë kombëtar sesa zhvillimi i arsimit.
Jam i lumtur të vërej se nuk jam i vetmi që mendoj se “…ka ardhur dita që qytetarët e Elbasanit t’u kthehen rrënjëve të tyre, jo vetëm duke i nderuar ato me mirënjohjen dhe admirimin që meritojnë, por edhe duke i rikthyer Elbasanit identitetin e tij historic, si vatër e personaliteteve të dijes, shkencës, arsimit dhe kulturës”.
Në këtë frymë kam ndërtuar në programin tim politik idenë që Elbasani të jetë edhe njëherë – si dikur, tempulli i mësuesisë shqiptare.
Lavdia e Normales së Elbasanit shkëlqen kaq natyrshëm në këtë qendër të lashtë e të re të dijes, ku hijeshon një Universitet i cili sot ofron 97 programe mësimore, 38 të nivelit bachelor, 16 mastera profesionalë, 34 mastera shkencorë, 7 programe studimi professional dy-vjeçarë dhe dy programe të studimeve doktorale në Albanologji.
Universiteti i Elbasanit ka çdo mundësi që të shndërrohet në Normalen e re – vijuese e asaj shkolle “Normale” që u hap në Elbasan në vitin 1909, dhe pati si mësues figurat më të shquara të historisë së Kombit tonë. Normalja historike e Elbasanit ishte simotra vërsnike e shkollës Normale të hapur në Paris, një frymëzim dhe busull për programet dhe filozofinë e mësimdhënies.
Përpara se të prodhojmë infermierë, sociologë e gjithologë, është brenda frymës dhe shpirtit tonë që në Elbasan të skaliten profilet e mësuesve të të gjitha lëndëve, sipas degësh tashmë të përditësuara në përputhje me kurrikulën e re të shkollës shqipe.
Ky qytet, me tradita të shquara në mirësi, butësi, durim e respekt – është shtëpia e duhur për të mirëpritur e për të përcjellë për në çdo skaj të vendit ata që do të mësojnë fëmijët tanë.
Elbasani e meriton si askush tjetër!

Share on facebook
Facebook
Share on twitter
Twitter
Share on linkedin
LinkedIn
Share on google
Google+
Share on whatsapp
WhatsApp