TË RINDËRTOJMË QYTETARIN…

Nga Luçiano Boçi*
Shqipëria ka rrëshqitur në një nivel të tillë degradimi fizik, saqë nevoja për ndërhyrje rindërtuese të çdo segmenti të jetës është ulëritëse. Takoj me qindra qytetarë çdo ditë, flas me dhjetra grupe interesi, shkëmbej mendime me shumë shtresa që vijnë nga qyteti e fshati dhe të gjithë parashtrojnë nevojën e ndryshimit imediat dhe vizionin e përmbysjes së regjimit Rama.
Asgjë nuk ka shkatërruar tërmeti krahasuar me rrënimet e prodhuara nga kjo qeveri në këto 8 vite.
Por sa më shumë njerëz takoj, sa më shumë shkëmbehem me bashkëvendasit e mi – aq më i bindur jam se rindërtimi i Shqipërisë duhet të nisë nga Qytetari.
Njerëzit kanë nevojë të nxirren nga depresioni depersonalizues i një klike, e cila ka tronditur themelet e integritetit njerëzor. Qytetarët kanë nevojë të rikonfirmojnë dimensionet e natyrshme të lirive të tyre civile – politike, ekonomike e shoqërore, të rikthejnë besimin tek vetja dhe vlerësimin që meritojnë të kenë institucionet e një shteti normal.
Edi Rama ju vrau shqiptarëve shtetin. Ai e pushtoi atë me zellin e tij prej protagonisti delirant duke u sjellë si Shpëtimtari i madh, ndërsa ndërtoi magjinë e zezë të mantelit të tij prej të gjithë-pushtetshmi. Poshtë atij manteli çdo mënxyrë – sado e paimagjinueshme të jetë – bëhet e mundur dhe e detyrueshme. Jo rastësisht në 8 vite ai i ka shtuar borxhit të jashtëm gati 4 miliard dollarë detyrime.
Pastaj Rama ju vrau shqiptarëve Atdheun duke i bërë të arratisen nga sytë këmbët. Çdo vit, një qytet sa Pogradeci zbrazet në Shqipëri – për shkak të dëshpërimit.
Emigrimi shqiptar – për fat të keq – nuk është thjesht një lebetitje ekonomike e njerëzve në nevojë. Emigracioni shqiptar është braktisje e çdo tipari identifikues të njeriut, braktisje e çdo norme. Këta njerëz që ikin, po arratisen nga çmendina. Mos u habisni për lehtësinë me të cilën ata përfshihen në botën e krimit në vende të tjera. Ata vijnë nga një realitet tërësisht i sunduar nga krimi. Ata i kanë parë kriminelët të qeverisin vendin, ligjet, shtetin, ekonominë, fatet e tyre. Në sytë e tyre krimi është relativizuar përballë peshës absolute që ka nevoja për mbijetesë.
Shëmtia e qeverisë Rama ka pushtuar administratën dhe çdo qelizë e saj është viktimë e të njëjtit mentalitet makiavelist, me të cilin ministrat drejtojnë dikasteret. Ky model sjelljeje ka shndërruar në transaksion çdo marrëdhënie të dikujt me ligjin dhe me të drejtën. Ky treg është bërë kaq normal në vend saqë qytetari ka humbur kuptimin ku nis e drejta dhe ku mbaron detyrimi. Ai di vetëm të pyesë për çmimin. Çdo gjë shitet dhe blihet.
Çdo rikthim I vendit në normalitet kërkon vrasjen e këtyre shprehive, ç’rrënjosjen e këtyre sjelljeve dhe demantimin total të këtyre pritshmërive.
Po aq sa një Kryeministër i ri, vendit i duhet një qytetar i ri, i vetëdijshëm për liritë e tij dhe I ringritur në këmbët e veta – me dinjitet, integritet, përgjegjshmëri dhe respekt.
Do të jetë një process i vështirë – ndoshta më i vështirë sesa rehabilitimi i infrastrukturave jetike dhe rindërtimi fizik i territorit. Por rindërtimi i njeriut, i qytetarit të denjë, i homos democraticus është një domosdoshmëri e pashmangshme dhe vitale për fatet e vendit.
Etika e mazhorancës së re dhe integriteti i saj moral do të jenë pikat kryesore të orientimit të publikut drejt një Shqipërie ndryshe. Ky është premtimi më i madh i opozitës së sotme. Dhe betimi i saj për t’i shërbyer të ardhmes së vendit.

Share on facebook
Facebook
Share on twitter
Twitter
Share on linkedin
LinkedIn
Share on google
Google+
Share on whatsapp
WhatsApp