POLITIKA E IDEVE BURON NGA NJERËZIT

Nga Luçiano Boçi*

“Janë bërë kandidatët si Dëshmitarët e Jehovait, – më tha një mik i mirë ndërsa po takoja njerëz në një lagje të qytetit. Pa ikur njëri, vjen tjetri! Çfarë thonë? Asgjë! Seicili flet për Jehovain e tij”.
Në fakt problemi është se qytetari jeton një realitet, i cili nuk rrok perspektivën kombëtare. As shpjegohet përmes projektit madhor kombëtar që një parti shpall. Qytetari ka nevojë të dijë cfarë do të ndryshojë në jetën e tij, në qytetin e tij.

Unë mund t’i kuptoj socialistët që nuk kanë cfarë të thonë. Dëmi që kanë prodhuar dhe shembulli i keq-qeverisjes së tyre vështirë se mund të kapërcehet me fjalë. Po ashtu, situata e tyre morale rëndohet nga sjellja “zgjedhore” e Kryeministrit të tyre, i cili e konsideron fushatën një lloj “cirku në fshat”: njerëzit duhet të vijnë të shohin arushën jashtë kafazit!

Përmbajtja e fushatës së majtë në fakt përmblidhet kujt do i japim një vend pune, kujt do i japim 5 lekë për t’i blerë votën, kujt do i heqim me dhunë të drejtën të votojë dhe kujt do t’i biem sot që të mbyllë gojën. Përballë një lufte të humbur – socialistët po bëjnë betejën e tyre të fundit.

Nevoja për ndryshim, për përmbysje të këtij regjimi ndjehet kaq e plotë dhe thuhet me zë kaq të lartë në këto zgjedhje prej gjithkujt – saqë kandidatët mundet të lenë cilindo qytetar që të flasë në emër të tyre. Rama moralisht ka ikur! Por që ndryshimi të ndodhë – ai kërkon përmbajtje.

Për këtë arsye, unë kam zgjedhur të mbledh nga ekspertët e qarkut të Elbasanit të gjithë ato ide dhe sugjerime, që në themel përbëjnë një numër zgjidhjesh frymëzuese dhe realiste për të ardhmen – duke i dhënë trup ndryshimit, i cili si frymë tashmë sundon vendin.

Ne duhet të ndërtojmë mbi fuqitë tona, mbi kulturën ekzistuese, mbi përvojën dhe mbi thesaret që territori ofron. Fuqitë tona konkuruese fshihen brenda mendjes dhe historisë së qytetarëve, të cilëve jo thjesht ju kërkojmë votën. Ne ju kërkojmë atyre të ndërtojmë së bashku ndryshimin!

Historia e arsimit në Elbasan, gërshetuar me historinë industriale të qytetit, e bën këtë sektor një fuqi konkuruese të paçmueshme për qarkun tonë. Mendoni një projekt të integruar ku bashkohen Universitetet ekselente perëndimore, një qendër e Kërkim Zhvillimit Shkencor-Industrial dhe një Inkubator start-up-esh, që I shërben 60 milion banorëve të Europës Qëndrore dhe Lindore. Mendoni TECHNOPOLIS-in tonë të ardhshëm. Ideja tashmë ka marrë trup!

Mendoni projektin e bletarisë – 100.000 Kosheret – që do t’i japë Elbasanit punë për shtresat në nevojë, rreth 50 milion euro të ardhura për qytetarët, një barometër natyror për pastërtinë e mjedisit dhe prodhimet tona bujqësore, një industri të tërë që mbështetet mbi Apikulturën – në mbështetje të pasurisë sonë si qarku më i begatë në bimë medicinale dhe erëza.

Të dëshpëron ideja se Qarku i Elbasanit jeton sot në varfëri ekstreme, ndërsa mesatarisht një elbasanlli ka më pak se 3 euro e gjysëm në ditë të ardhura.
Janë po këta njerëz që shkelin mbi 200 miliard dollarë pasuri nëntokësore – një rezervë minerare kaq e gjerë, e cila i lejon Elbasanit mundësinë të jetë një ndër qëndrat që mund të prodhojnë bateri për makinat elektrike. Prodhojmë mbi 1.2 milion ton prodhime bujqësore. Jemi ndoshta qarku më i pasur në blegtori. Kemi 4 lumenj dhe jemi sot hambari i energjisë në Shqipërinë e Mesme.
Si mund t’i mbash njerëzit në varfëri vetëm për t’i bindur se janë të majtë dhe se nëse nuk qeveris ti, i MAJTI – ata do vdesin urie? KJO ESHTE MIZORE!
Ndërkohë po e njëjta skotë politike, ju shkatërron pa mëshirë burimet, ju helmon ujin, ju shkatërron pyjet dhe ju vjedh jetën. Kjo është e tepërt! Elbasani dhe gjithë Shqipëria sot kërkon NDRYSHIM!
Por Ndryshimi buron nga njerëzit që ne takojmë çdo ditë dhe nga idetë e tyre. Jam I lumtur t’i përqafoj dhe mbështes idetë e tyre. Ato janë pasuria më e madhe e këtij vendi!

 

Share on facebook
Facebook
Share on twitter
Twitter
Share on linkedin
LinkedIn
Share on google
Google+
Share on whatsapp
WhatsApp