Takim me intelektuale te Elbasanit date 29 mars2021

Fjala e kandidatit Luçiano Boçi ne takimin e sotshem.

Të nderuar miq e kolegë, 

Të nderuar pjesmarrës,

Zgjodha ta filloj këtë komunikim publik timin me Ju, për të shprehur qartë dhe pa dilemma se roli i elitave në një shoqëri të zhvilluar mbetet unik dhe i pa-tejkalueshëm. Një prej arsyeve pse vendi ynë ndodhet në këtë humnerë, është fakti se ju – dhe në tërësi elita intelektuale shqiptare – ka qenë dhe mbetet e përjashtuar nga vendim-marrja politike dhe nga cdo process tjetër i administrimit të burimeve. Njerëzit e mendjes në Shqipëri kanë vuajtur e vuajnë margjinalizimin më ekstrem të këtij tranzicioni 30 vjecar. Ky dhunim duhet të marrë fund. 

Unë besoj se pa një treg idesh – cdo treg tjetër në një shoqëri perëndimore – është i destinuar të vuajë kriza ciklike dhe humbje të pallogaritshme. Nëse ekonomia e një vendi i jep atij mbivlerën – elitat i japin realisht vlerën një territori. Në këtë prag zgjedhjesh, edhe njëherë – vendi ndodhet në darën e konfliktit mes tregut të ideve dhe tregut të interesave. 

Në themel, historia e elites shqiptare shpjegon historinë e qytetit shqiptar. Dhe Elbasani është dëshmi e kësaj historie të dhimbshme – edhe pse hera herës krenare. 

Bota sapo ka hyrë në një epokë të re gjeologjike – Antropocene. Ulja e gjurmës së karbonit nga cdo aktivitet jetësor ekonomik dhe ndalimi i ndryshimit të klimës do t’a shënojë këtë shekull. 

Kjo epokë e ekonomisë ricikluese favorizon zhvillimin e qëndrueshëm mbështetur mbi bujqësinë organike, pyllëzimin dhe zgjidhje inteligjente afatgjata për sektorë të vecantë si transporti dhe energjia. Zhvillimi i teknologjisë dhe Inteligjenca Artificiale do të pilotojnë zhvillimin sektorial në drejtime të reja, që kërkojnë një brez të ri të formuar dhe të aftë për t’u adoptuar ndaj kërkesave të reja të tregut.

Tregu i punës gjithashtu do të njohë një ndryshim thelbësor. Por e gjitha është një pikturë që i përket të ardhmes. Ka vetëm një gjë që ne e dimë me siguri: Shqiptarët nuk janë gati për këto ndryshime. As në nivel politikash, as në cilësi institucionesh. 

Prej vitit 1993 Shqipëria ka ndjekur rrugën e punësimit masiv, përmes industrisë fason – një model të së cilës – mbështetur mbi aftësitë e gjuhëve të huaja – zbatuan me moshat e reja kompanitë e shumta të telemarketingut pas vitit 2010; edhe kjo industri sot po vdes gradualisht për të njëjtat arsye që u krijua: përfitime të përkohshme fiskale.

Mendoni mijëra të rinj në Elbasan që mund të humbin vendin e punës. Kjo në kushtet kur punësimi në qytetet e qarkut tonë është 14% sipas INSTAT. Jo papunësia… Punësimi! 

16.800 veta janë sipas INSTAT në marrëdhënie pune – prej një popullate prej mëse 120.000 banorësh, në qytetet Elbasan, Gramsh, Cërrik e Prrenjas.

Të tjerët – 55.5% e popullsisë së qarkut prej 270.000 frymësh – jetojnë me bujqësi dhe quhen të vetëpunësuar; këta qeveria as nuk i llogarit për njerëz.

Prej viteve 2000, 85% e kapitalit shqiptar vazhdon të qarkullojë si kapital tregtar. Mbivlera e fituar nga qarkullimi ekonomik në vend- humbet në riblerje valute për importet që i duhen vendit. Ku shkojnë këto euro dhe dollarë?

Ish-përfaqësues të lartë politikë të diktaturës apo fëmijë të tyre kontrollojnë në treg një sistem kartel të importeve. Kjo është e shprehur tek të të gjitha mallrat e shportës dhe komoditetet. Këtë fakt e pat denoncuar Kreshnik Spahiu, por pastaj heshti se ja mbyllën gojën: me para’. 

66% të ushqimeve tona vijnë ende nga importi.Edhe pse nuk ka vit që nuk dëgjojmë për prodhime që hidhen në lumë se nuk arrijnë dot në treg… ne mbrojmë importet. Sovraniteti ushqimor është një term kurrë i dëgjuar në nivel politikash.

Prej vitit 2.000 kur Shqipëria u bë anëtare e Organizatës Botërore të Tregëtisë, administrata shtetërore e ka përdorur këtë si alibi për të shkatërruar prodhimin vendas dhe bashkë me të edhe dhjetra mijëra vende pune. Pyesni industrinë e çelikut për këtë. Pyesni industrinë e çimentos për këtë. Pyesni prodhuesit ushqimorë. 

 

Kjo filozofi ka shkatërruar industrinë e lehtë përpunuese, mos-ekzistenca e saj ka zbrazur fshatin, kjo filozofi ka veshur qytetin me ghetto duke deformuar tregun e punës me një ofertë informale dhe ka shkatërruar shanset për zhvillim të qëndrueshëm të qendrave urbane. Kjo frymë ka sjellë pushtimin e trojeve në qytet dhe braktisjen e tokave dhe të punës në fshat. 

Mdeli korruptiv ndërkohëështë bërë sundues dhe cdo marrëdhënie e individit me shtetin/ligjin përfaqëson një transaksion. Pabarazia sociale që thellohet përditë favorizon degradimin e cdo shërbimi publik, ndërsa dhuna përkufizon rendin e hierarkive. 

A duam të flasim për ndryshimin? Unë besoj se brenda çdo problemi – qëndron edhe zgjidhja e tij.

Problemi i parë dhe kryesor që ballafaqon vendi është Informaliteti. 

Sipas CIA-s amerikane që analizon cdo vend të globit, në mars 2021 deklarohet se Shqipëria në vitin 2019 ka pasur një GDP reale prej 39.9 miliard dollarësh. 

Qeveria shqiptare ka deklaruar si GDP vlerën prej 15.27 miliard. Mbi këtë vlerë ajo ka zbatuar taksën e saj kumulative prej 36.6% duke realizuar një buxhet shtetëror prej 5.2 miliard dollarë. 

Kjo dmth që 24 miliard dollarë janë tatuar privatisht nga shefat e shtetit duke prodhuar për xhepin e tyre në vit jo më pak se 4 miliard dollarë. 

Mjafton kjo e dhënë për të kuptuar se sa e mbështetur është aspirata jonë për ndryshim. 

Ne kemi 24 miliard dollarë evazion zyrtar – mbi 65% të ekonomisë. Sipas të njëjtit fact-book të CIA-s, Gjermania e ka këtë evasion në masën 5%.

Nëse qeveria demokratike lufton informalitetin, ajo mund të ketë një buxhet shtetëror prej 13 miliard dollarësh, edhe në kushtet e taksës së sheshtë 9%. 

Parimi i përfshirjes së elitave, i specialistëve të çdo fushe dhe i njerëzve me përvojë në zhvillimin sektorial – qofshin të sektorit publik apo privat – përbën sipas meje kushtin fillestar për një zhvillim të qëndrueshëm – porta me të cilën unë besoj se qarku mund të arrijë tek zhvillimi i harmonizuar rajonal, si garanci e zhvillimit të qëndrueshëm.

Unë do të isha i lumtur të ulem përkrah kolegut tim – deputet socialist apo tjetër – në Tryezat Sektoriale – që do të ndërtohen në nivel bashkie, qarku dhe në Tryezat Kombëtare Të Ekspertizës ku të dëgjohet mendimi profesional dhe të reflektohen sugjerimet e ekspertizës vendore. Askush nuk e njeh një vend më mirë se banorët e tij. Askush nuk e do atë më shumë.

Unë besoj se kjo dinamikë ndërveprimi mes politikë-bërjes dhe analizës profesionale është rruga e vetme e suksesit në zhvillimin sektorial të vendit. 

Njëherësh, në mënyrën më immediate na duhet të rimodelojmë shkollën në përputhje me karakteristikat e tregut të punës. Ne kemi sot një shkollë që prodhon të papunë dhe emigrantë. Ky process kërkon edhe rivlerësimin e figures së mësuesit – në mjete monetare dhe morale – si dhe rikualifikimin e tij për këtë rol.

Kjo është arsyeja pse PD ka parashikuar rritjen e rrogave të arsimtarëve në cdo nivel me 60%. 

Si deputet i Elbasanit e kam për nder të them se Qyteti i Normales – tempullit të mësuesve shqiptarë – duhet të rikthehet në misionin e njohur historic për të ringritur cilësinë e mësimdhënies në shkallë vendi. Universiteti i Elbasanit është një institucion i mrekullueshëm që mund dhe duhet ta marrë këtë rol.

Përpara se të prodhojmë infermierë, sociologë e gjithologë, është Brenda frymës dhe shpirtit tone, që në Elbasan të skaliten profilet e mësuesve të të gjitha lëndëve, sipas profilesh tashmë të update-uara, në pëputhje me kurrikulën e re të shkollës shqipe.

Eshtë e udhës që ky qytet me tradita të shquara në mirësi, butësi, durim e respekt – të mirëpresë e të përcjellë për në çdo skaj të vendit ata që do të mësojnë fëmijët tanë. 

Rritja e aksesit në arsim – është pjesë e vizionit të PD. Kështu, cdo student që vjen nga një familje me të ardhura më të ulta se 64.000 LEK do të lirohet nga tarifat e studimit. Po ashtu tekstet shkollore për krejt ciklin para-universitar do të jepen falas.

Përvec adresimit të problemeve aktuale, Arsimi mendoj se paraqet për ne një shans për të përshpejtuar rrugën drejt së ardhmes. Universiteti I Elbasanit është sot pjesë e programeve europiane dhe ka nisur gradualisht përpjekjet për të integruar biznesin vendas në kërkimin shkencor e teknologjik,

Unë kam kënaqësinë të prezantoj sot “TECHNOPOLIS” – një project- ide që dua ta trupëzoj me Universitetin e Elbasani dhe kolegët e mi të shkëlqyer. Synimi ynë është ta kthejmë Elbasanin në Kryeqytetin e Dijës së Korridorit 8, Qytetin e parë shqiptar të Innovacionit.

Projekti jonë parasheh ngritjen në Elbasan të një Parku të Integruar të Kërkim Zhvillimit Teknologjik, i cili ofron:

  • Arsim Universitar të cilësisë më të lartë:
  • Disa fakultete të Inxhinjerisë që përfshijnë:
    • Përpunimin e mineraleve dhe Metalurgjinë;
    • Energjinë 
    • Studime Mjedisore 
    • Bujqësinë 
    • Nano-teknologjinë
  • Shkenca Kompjuterike, Programim dhe Inteligjencën Artificiale 
  • Qendrën Europiane të Kërkimit Shkencor e Industrial me fokus në:
    • Përpunimin e mineraleve/ metaleve;
    • Energjitë e pastra dhe zgjidhjet e reja të transmetimit dhe ruajtjes së energjisë;
    • Bujqësinë dhe Mjedisin;
    • Programim dhe inovacione në Inteligjencë Artificiale;
  • Inkubator për Start-up-et e reja duke integruar Arsimin, segmentin e Kërkim Zhvillimit me kompanitë e mëdha të interesuara dhe lobet financiare; 

Qendra Europiane e Kërkim Zhvillimit dhe Inkubatori i Start-up-eve mund të mbështeten qysh në krye nga projekti i BE-së “Horizon 2020”, ku Shqipëria është anëtare. Këtë segment të projektit e pat iniciuar vite më parë, përmes një laboratori modest të teknologjisë, kolegu ynë i ndjerë – ish-rektori i Universitetit të Elbasanit. 

Ne synojmë që këto shkolla dhe kjo qendër e integruar e kërkimit shkencor dhe zhvillimit industrial – të sjellë në Elbasan nga krejt Europa Qendrore dhe Lindore rreth 20-25 mijë studentë, të cilët do të gjallërojnë tregun, dhe sidomos konsumin në Elbasan – duke ngritur ekonominë lokale, duke fuqizuar investimet prodhuese dhe duke gjallëruar jetën e krejt qarkut. 

Mos harroni se qarku ynë ka Gramshin – hambarin e energjisë së Shqipërisë së mesme, ka Cërrikun – një ish-qendër industriale e përpunimit të naftës ndërsa jemi konfirmuar si baseni më i pasur me hidrokarburë në jug të Europës, ka Prrenjasin – një thesar në ferronikel dhe aliazhe, ka Peqinin – një zonë e mrekullueshme me potencial të jashtëzakonshëm në bujqësinë organike dhe një nyje natyrore logjistike mes Elbasanit dhe Durrësit… 

Vetëm nga industria e përpunimit të naftës ne mund të kemi një numër industrish që prodhojnë polimere – bazë për veshjet, për ndërtimin, një spektër industrish që ndërlidhen prej karozenit që ushqen aviacionin e deri tek bitumet – për infrastrukturat civile.

Sot sipërmarrja shqiptare investon vetëm 0.15% të të ardhurave të saj në Kërkim Zhvillim (R&D). PD ka parashikuar incentiva të rëndësishëm fiskalë që e fuqizojnë këtë komponente jetike për të ardhmen e vendit, ashtu sic ka parashikuar që cdo sipërmarrje e të rinjve në bujqësi të mos paguajë asnjë taksë për tre vite.

Përsa kohë mbi 55% e banorëve të këtij qarku jetojnë në fshat, unë kam mbledhur prej tyre një listë të gjatë të nevojave parësore dhe mbi këtë bazë kam hartuar një plan veprimi politik.

Së pari, banori i fshatit të qarkut të Elbasanit meriton të jetë pronar i një asset-i, i cili është i konvertueshëm dhe me vlerë reale në treg.

Sektori bujqësor në Shqipëri ka tërhequr vetëm 2% të totalit të kreditimit të ekonomisë, edhe pse punëson 44% të popullsisë shqiptare dhe 55% të popullsisë së qarkut të Elbasanit. Kjo – sepse TOKA BUJQËSORE ende nuk është ASSET, dhe nuk njihet nga Bankat si garanci për asnjë transaksion financiar.

PD kërkon që ndaj fermerit të marrë fund presioni korruptiv për regjistrimin e pronës. Procesi për regjistrimin e plotë të pronës në fshat është detyrim imediat

Ky process Regjistrimi dhe Inventarizimi i pronës në fshat, duhet të shoqërohet me rivlerësimin e saj në përputhje me parametrat e tregut. Kjo analizë do të japë një nivel të ri të vlerës së ekonomisë sonë kombëtare.

Që të bëhet kjo, është e domosdoshme – që me mbështetjen e ekspertëve të bujqësisë e mjedisit, si dhe ata të ekonomisë – të përpilojmë dhe miratojmë sa më parë Hartën Kombëtare të Produkteve – duke definuar termat e mbrojtjes fiskale.

Prodhojmë si qark 1miljon e 150mijë ton produkte bujqësore. Shtoji edhe produktin industrial dhe vlerën e shërbimeve – dhe sot të gjitha bashkë nuk bëjnë as 800 mijë euro. Këtu na ka lënë kjo qeveri! Të nëncmuar, të përbuzur ndërsa derdhim djersë për të mbijetuar!

Cdo vend i zhvilluar europian ka të organizuar një Hartë të Produkteve Agrare mbi tokën bujqësore – e cila mbështetet mbi:

  • Cilësinë e tokës;
  • Rendimentet optimale sipas kulturave;
  • Traditën e një zone;
  • Kërkesat e tregut dhe projeksionet ekonomike të rritjes / ndryshimit të konsumit;
  • Risitë teknologjike dhe oportunitetet e reja në tregjet kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare;

Sipas kësaj Harte realizohet edhe planifikimi i prodhimit agrar – bazë e politikës së Sovranitetit Ushqimor të një vendi.

Kjo nënkupton që nëse harta e prodhimit bujqësor saktëson se Elbasani duhet të prodhojë DUHAN – një prodhues duhani nga një zonë që nuk është e përcaktuar si prodhuese duhani – do të paguajë taksë për produktin që del nga harta e përcaktuar e prodhimit. 

Një tjetër hap për mbrojtjen e fermerëve është Nxitja e Agro-përpunimit – përmes planifikimit agrar të prodhimit.

Në këtë mënyrë – fermerët kanë të para-shitur tek Agro-përpunuesit një minimum të prodhimit të tyre. Ata dalin në treg gjithashtu – drejtpërdrejt ose përmes shoqërive të grumbullimit dhe marketingut të prodhimit bujqësor – duke garantuar shmangien e humbjeve. 

PD do t’i rikthehet momentit pozitiv që solli zhvillimi i rrugëve rurale – një program i qeverisë Berisha. Tani nga këto rrugë në fshatin shqiptar mund të hyjnë investimet, ashtu sic ato mundësuan dikur që prodhimet e fshatit të arrinin në tregje.

Struktura e prodhimit agrar të Elbasanit është befasuese. 

Jemi qarku i tretë në prodhimin e patates në vend; megjithate nuk kemi asnjë fabrikë sado të vogël për përpunimin e 27.000 ton patate që prodhohen këtu. 

Jemi qarku i dytë në prodhimin e drithrave: në 41.000 ha prodhojmë 195.000 ton. Rendimenti është trishtues.

Jemi qarku i tretë në prodhimin e ullirit – kemi më shumë rrënjë edhe se Berati; Ne kemi 17.560 rrënjë ullinj si qark dhe shkëlqejmë në prodhimin e vajit. Por ullishtet tona duhen ri-investuar duke mbështetur shërbimet. Elbasani ka potencialin për t’u bërë prodhuesi numër 1 në Shqipëri për vajin e ullirit.

Jemi qarku i dytë pas Shkodrës në prodhim bimësh medicinale. Nga 50.000 ha sipërfaqe të mbjella si qark, për bimë medicinale përdorim vetëm 412 ha. 

Elbasani prodhon 92.000 ton perime në vit – dy të tretat e të cilave shiten të njoma në sezone pik të prodhimit. Për fat të keq, stigma mjedisore që mbështjell Drakulën e Metalurgjisë bën që Elbasani si qark të humbë të paktën 30-40% të vlerës së prodhimit bujqësor.

Për këtë arsye rrëzimi i stigmës mjedisore që rëndon mbi krejt qarkun – përmes rivlerësimit të ndohtjes reale në cdo zonë – është një hap i parë i domosdoshëm që rrit të ardhurat në fshatrat e krejt qarkut me të paktën 30%. 

148.500 frymë do të jetonin menjëherë me një standart 30% të mirë ekonomik – vetëm prej këtij hapi.

Pavarësisht kësaj, PD ka vendosur të mbështesë me 100 milion euro në vit subvencionimin e bujqësisë. Ne jemi qarku i dytë pas Fierit – më i rëndëishëm në këtë drejtim.

Ndërkohë një ekip inxhinjerësh kanë nisur nga puna për të matur bëshmërinë e një projekti për furnizimin me ujë të Dumresë për qëllime vaditjeje, duke u mbështetur mbi prurjet e Devollit. Thatësira e kësaj zone ndikon rëndë produktivitetin e saj dhe cënon krejt repertin turistik të rrallë që ajo ofron. 

Ne synojmë furnizimin me ujë të Dumresë për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë një plagë historike; ky rajon dhe Belshi ofrojnë shanse ideale për turizëm, bujqësi organike dhe zhvillim tërësor. 

E fundit, por vetëm për nga rradha: 

Elbasani është prodhuesi i dytë më i madh në Shqipëri i bimëve medicinale dhe erzave. Ne kemi sot një numër dëshmish për një grup bimësh të vecanta me rendiment të lartë ekonomik si shafrani dhe jo vetëm ai. 

Gramshi dhe krejt zona pyjore e Librazhdit, tokat e Cërrikut dhe shumë zona kodrinore – malore në qarkun e Elbasanit ofrojnë kushte ideale dhe një potencial të rrallë për një nënsektor të shkëlqyer, i cili në nivel botëror punon me porosi. 

Me një prodhim të orientuar dhe me një industri pritëse të përpunimit – ne mundemi – e para – të katërfishojmë prodhimin e bimëve medicinale dhe erzave në këtë qark; 

në periudhën e regjimit komunist – një kompani e vetme e grumbullimit dhe eksportit të tyre bënte 40 milion dollarë shitje në eksporte. Sot mbi 150 kompani në rang vendi – mezi bëjnë 20 milion dollarë. 

Rajoni i Europës Juglindore përfshi Rumaninë prodhon 15% të repertit botëror të erzave dhe bimëve mjekësore. Me këtë fuqi të shtuar, ne realisht jemi në gjendje të gjenerojmë një industri të re, duke pasuruar panoramën tonë ekonomike me dy segmente të reja: turizmin shëndetësor dhe shkollën e farmacisë së bimëve (farmakopea) për qëllime kozmetike dhe mjekësore.

E dyta: nëse ne përmbushim kushtin e parë, ne mund të kemi në Elbasan një industri të integruar farmaceutike dhe kozmetike. Përqëndrimi i proceseve përpunuese në një qendër industriale të standartit europian, garanton që Elbasani të shfrytëzojë fuqinë e vet konkuruese si nyje transporti rajonal – duke qenë më afër se cdo qendër tjetër me tregjet europiane, falë daljes në det përmes portit të Durrësit.

Me vizionin e PD për aplikimin e Taksës së Sheshtë 9%, me uljen e cmimit të energjisë dhe të karburanteve – jo vetëm prodhimi do të marrë hov, por gjithë zinxhiri ekonomik do të njohë një implus zhvillimi – falë uljes së kostove.

Padyshim kjo nënkupton nxitjen e sipërmarrjes private dhe zgjerimin e bazës tatim-paguese. Njëherësh edhe uljen e informalitetit – falë detyrimesh që reflektojnë arsyeshëm përmasat e tregut dhe nivelin ekonomik.

Kjo është baza ku PD mbështetet për të folur më tej edhe për Rritjen e rrogave të shëndetësisë – me mjekë që do paguhen 1.200 EUR dhe infermierë që do të marrin jo më pak se 700 euro në muaj, rritjen e rrogave në arsim, rritjen e pensioneve dhe ndihmës ekonomike e më gjerë.

A jemi gati për ndryshimin? 

Kjo është pyetja ime… Dhe unë besoj se e di përgjigjen tuaj! 

Ju falemderit!

Share on facebook
Facebook
Share on twitter
Twitter
Share on linkedin
LinkedIn
Share on google
Google+
Share on whatsapp
WhatsApp