Takim me te rinjte date 26 mars 2021

Fjala e kandidatit Luciano Boci ne takimin me te rinjte e Elbasanit

Të dashur miqtë e mi,
Ditën kur PS mori pushtetin në vitin 2013, më është kujtuar një barceletë e vjetër:
Pas ceremonisë, dhëndrri i afrohet priftit dhe e pyet sa i detyrohet për aktin e kurorëzimit. Prifti vë buzën në gaz dhe thotë “kjo vlerë është në raport me bukurinë e nuses. Gjykoje vetë”. Djali i jep 10 mijë lireta dhe prifti ngel ngushtë. Afrohet, i ngre velin nuses dhe befas i kthehet dhëndrrit “e di ç’ke?! Prit të të jap kusurin!”.
Kështu jam ndjerë unë ditën e martesës fatkeqe të Shqipërisë me Rilindjen.
Ka ardhur koha t’i kthejmë kusurin Edi Ramës. Shëmtia e asaj që ai na solli në shtëpi është e padurueshme. Kësaj here vërtet, duhet t’i kthejmë kusurin!
Elbasani është një qytet i ri në moshë: mbi 20% të popullsisë e përbëjnë fëmijët, ndërsa mosha e tretë bën jo më shumë se 15%. Kjo do të ishte një e dhënë shumë e lumtur për një vend që ka një vizion zhvillimi pro-aktiv. Për fat të keq, ne kemi vuajtur në këto 8 vite një politikë qendrore dhe lokale të mjerueshme!
55 mijë fëmijë në këtë qark nuk kanë asnjë park publik ku të luajnë. Ata janë motrat dhe vëllezërit tuaj më të vegjël, janë fëmijët tuaj, nipat tanë – që janë harruar se ekzistojnë! 55 mijë frymë bëjnë një qytet!
Po aq, në mos më shumë të rinj janë të lënë në mëshirën e kafeneve dhe të call-center-ave. Kush nuk di gjuhë të huaj – punon kamarier me 150 mijë lek rrogë dhe jeton me bakshishet e një qyteti të këputur nga varfëria.
Çfarë do të bëni? Shumë prej jush e kanë gjetur përgjigjen: merr ca lekë borxh dhe ik jashtë! Po a është kjo zgjidhja?!
Elisa është vullnetare në Shtabin tim elektoral. Ajo ka mbaruar fakultetin e infermierisë. Nëse ajo ikën sot në Itali – do ta ketë rrogën 1.600 euro. Prej këtyre 1.200 i duhen për të jetuar. Sikur gjithcka të shkojë mirë, Elisa do të arrijë të kursejë 400 euro/muaj. Në një vit këto bëjnë 4.800 Euro. Hiq udhëtimet dhe dhuratat për njerëzit që ka larg, në një vit Elisa mundet të blejë një makinë të vogël.
Nëse Elisa jeton në Elbasan dhe paguhet 750 Euro – ajo ka mundësi që të kursejë po aq para’ dhe të jetojë shpirtërisht më mirë, më e plotë, më e kënaqur.
Partia Demokratike ndërtoi rrugën që lidh Elbasanin me Tiranën me synimin që t’i unifikonte tregjet e këtyre dy qendrave. Tani për 30 minuta çdokush prej nesh arrin në kryeqytet.
Efekti i tregut në ofertë qe i menjëhershëm. Në vitin 2014 – u kërkuan dhe u dhanë 6 leje ndërtimi për pallate. Në vitin 2015 – u dhanë 9. Në vitin 2016 – u kërkuan dhe u dhanë 68 leje ndërtimi. Tregu i besoi politikës. Por politika socialiste që përndoqi – i zhgënjeu të gjitha palët.
Ende sot një metër katror ndërtim i ri në Elbasan kushton thuajse sa 1/3 e të njëjtës sipërfaqe në Tiranë. Një Elbasanas duhet të shesë një shtëpi 300m2 në Elbasan, për të blerë një banesë 100m2 në Tiranë…
Ju mund të punoni në Tiranë, po do ju duhet të llogarisni koston e thuajse 100km në ditë.
Ne paguajmë për karburantin çmimet e Italisë. Nga Elbasani ke më leverdi të shkosh në Tiranë me RyanAir se me makinën tënde. Për çdo litër karburant – ne i dhurojmë qeverisë gati 1 Euro.
Të gjithë këto shembuj dëshmojnë vetëm një fakt: Elisës dhe shumicës prej jush, nuk ju duhet thjesht një punë. Juve ju duhet një atdhe’, një vend që mendon për ju, që bën vend për ju. Ju duhet një mjedis politik që debaton jo mbi mënyrat si t’ju zhvasë, por mbi zgjidhjet si t’ju begatojë.
Ndoshta për shumë prej jush makro-ekonomia është një gjuhë e huaj! Kur qeveria Berisha la pushtetin – borxhi publik i vendit ishte në nivelin e 68% të GDP-së. Megjithë krizën financiare të viteve 2009-2010, Shqipëria ishte në gjendje ta shërbente borxhin e saj dhe të ruante një rritje ekonomike – sado që më të vogël se 4%.
Edi Rama erdhi në pushtet dhe sot që flasim borxhi publik është të paktën 3.8 miliard dollarë më i lartë sesa ishte. Prej këtyre – të paktën 800 milion euro janë detyrime të nënshkruara për PPP-të. Nëse 1 miliard borxh i freskët – ende nuk është hedhur i gjithi në tendera për t’u vjedhur, unë ju ftoj të shikoni rreth e përqark e të gjeni ku janë investuar 2 miliard dollarë?!
Që ta kuptoni: e gjithë rruga e Kombit ka kushtuar 1 miliard dollarë.
A shkoni ju sot thuajse në cdo fshat me rrugë të asfaltuara? Të gjitha rrugët rurale – që qeveria Berisha ndërtoi – nga Lepusha e Boga në Alpet e Veriut, deri tej në jug – në Xarrë e Finiq, nga Shetaj i Kepit të Rodonit e deri në Dardhë të Korçës – të gjitha kanë kushtuar më pak se 400 milion dollarë. Falë këtyre rrugëve produktet më të mira bujqësore arrijnë në tregje dhe ju mund t’i gëzoheni turizmit vendas, të njihni vendin tuaj dhe ta shijoni atë.
Tani, 2 miliardë dollarë ku kanë shkuar?!
Sikur të mos mjaftonte kjo – ka një tjetër të dhënë që mbetet e pakapërcyeshme:
CIA Amerikane analizon cdo vend dhe publikon faktet në faqen e saj – që rifreskohet cdo tre muaj. Sipas analizës së expertëve të CIA-s, GDP-ja reale e Shqipërisë është 39.9 miliard dollarë. Kaq do të kushtonin të gjitha mallrat dhe shërbimet e prodhuara në Shqipëri përgjatë vitit 2019.
Qeveria Shqiptare thotë se sipas kursit të saj të këmbimit – GDP-ja është 15,3 miliard dollarë. Mbi këtë shifër, qeveria Rama aplikon 20% TVSH, 15% taksë mbi të ardhurat dhe 1.6% taksat e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, në total 36.6% taksa. Për këtë shkak, buxheti i shtetit arrin të mbledhë max. 5.2 miliard dollarë.
Diferenca mes dy shifrave të prodhimit të brendshëm brutto është 24 miliard dollarë.
Teorikisht ky quhet informalitet ekonomik. Praktikisht – kjo është lopa që mjelin shtetarët socialistë. Ata taksojnë në mënyrë private – nën tavolinë këtë shifër dhe fusin në xhep 4 miliard dollar të tjera në vit.
Në qoftë se shteti shqiptar takson vlerën reale të GDP-së – gati 40 miliard dollarë – me 20% TVSH dhe 9% taksë të sheshtë – buxheti i shtetit bëhet nga 5.2 miliard në 13 miliard dollarë.
Tani a mund ta kuptoni sesa para’ të lira mund të ketë në dispozicion për ju? Për rrogat tuaja, për familjet tuaja, për fëmijët, parqet e tyre, për qytetarët dhe për shërbimet që ata meritojnë?!
Pyetja nuk është “kush është më i mirë: Lulzim Basha apo Edi Rama… Luciano Boçi apo Taulant Balla…”. Pyetja është: “çfarë doni Ju për jetën tuaj?”.
Nëse doni një jetë më të mirë, një atdhe’ më të mirë, një shans për ta ndërtuar perspektivën tuaj me dinjitet dhe me vetëbesim – ju e keni gjetur përgjigjen. Zgjedhja qëndron tek e vërteta! Kjo është e vërteta…
Ju jeni të pasur – nëse ky vend nuk qeveriset nga hajdutët!
Në këto 8 vite, 2 miliardë dollarë që u morën borxh – u vodhën. 800 milion u shkruan si borxhi ynë për miqtë e kryeministrit që morën PPP. 1 miliard dollarë të tjera po shpërndahen për të blerë vota – me justifikimin e ndihmës së atyre që u dëmtuan nga tërmeti.
Falë qeverisë Rama – secili prej nesh ka sot 1.300 EUR borxh më shumë dhe që do ta paguajmë me gjithë interesa për 10 vitet e ardhshme.
Shtoji kësaj gati 8 miliardë dollarë që na kanë munguar rregullisht në buxhet – dhe që kanë prodhuar gjysmën e kësaj shifre për xhepat e qeverisë.
Shtoji kësaj faktin që taksat dhe tatimet janë ndërtuar mbi logjikën që frenon rritjen profesionale dhe ambicien për zhvillim të individit. Një njeri, që falë profesionit dhe shkollës merr më shumë se 1 miljon e gjysëm lek të ardhura në tregun privat – duhet t’i japë shtetit 23% tatim mbi të ardhurat.
A është ky shtet që hoteleve me 5 yje ua bëri TVSH-në 6% ? Apo vetëm miqtë e kryeministrit janë me 5 yje? Për qytetarët nuk ka mëshirë?!
Unë besoj se ju i dini përgjigjet. Nuk mendoj se kam nevojë t’ju them më shumë se të vërtetën. E vërteta është: Ju jeni të pasur – nëse ky vend nuk qeveriset nga hajdutët!
Besoj se secili prej jush ka respekt për veten, po aq sa do të mirën e përbashkët. Besoj se secili prej jush është pjesë e një komuniteti njerëzish që i doni dhe i cmoni!
Unë ju thashë dy fjalë! Ju mund t’ja thoni ato çdo familjari, çdo njeriu të cilin e vlerësoni për mend dhe e doni me zemër.
Ndihmojini njerëzit të kuptojnë të vërtetën.
Të jesh i ri është fat! Të jesh një i ri me fat – është produkt i sistemit.
Unë jam këtu – për të gjithë. Mund të më takoni, të më pyesni, të më thoni si mund t’ju ndihmoj. Por nëse ka një mënyrë për t’ju bërë të ndjeheni “të rinj me fat” – këtë mund ta arrijmë vetëm së bashku. Votoni me mend dhe ndihmoni ata që doni më shumë që të mos bien pre’ e gënjeshtrës që sundon në këtë vend prej shekujsh.
Ju falemderit!

Share on facebook
Facebook
Share on twitter
Twitter
Share on linkedin
LinkedIn
Share on google
Google+
Share on whatsapp
WhatsApp